biblioteka e mendimit shqipetar banner header

Vedat Kokona

Vedat Kokona u lind më 8 gusht 1913, në Izmir, nga një familje qytetare gjirokastrite. I ati, Elmazi, ishte avokat. Më 1920 kthehet në Tiranë, ku kreu shkollën fillore dhe më pas vijoi mësimet në Liceun e Korçës. Gjatë studimeve në këtë shkollë, më 1935, Kokona fitoi çmim në një konkurs letrar. Çmimi ishte një aparat fotografik Kodak, që e ëndërronte, dhe një botim i bukur poezish të Lamartenit. Po atë vit nisi studimet e larta në Paris, Francë për drejtësi, ku ndenji deri në fillim të 1939-s. Me t’u kthyer në Shqipërinë e pushtuar, punoi si mësues i gjuhës frënge në po atë shkollë të mesme të Korçës, ku kishte qenë nxënës. Më 1941 u transferua në Gjimnazin e Shtetit në Tiranë, ku dha mësim për një vit. Për shkak të trysnisë politike dha dorëheqjen më 1942 dhe i hyri profesionit të tij të fillimit, avokatisë. Në shkurt 1944, së bashku me Mitrush Kutelin, Nexhat Hakiun dhe Sterjo Spassen, themeloi dhe kryesoi redaksinë e së përdyjavshmes Revista letrare, jetëshkurtër, por me ndikim në jetën kulturore, e cila më pas do të damkosej si fashiste. Në vitet e para të pasluftës, i padëshirueshëm si avokat, ai iu kthye punës si mësues i frëngjishtes në një shkollë të mesme në Tiranë, kurse nga 1949 deri më 1965 punoi si përkthyes në Shtëpinë Botuese Shtetërore “Naim Frashëri”. Nga 1965 e deri sa doli në pension dha frëngjishten në Universitetin e Tiranës.