biblioteka e mendimit shqipetar banner header

Ermir Nika

Veprimtarinë e tij profesionale e ka shtrirë në disa fusha të rëndësishme si sa i përket krijimtarisë artistike, ashtu edhe në drejtim të studimit dhe kërkimit shkencor. Në vitin 2016 ka mbrojtur titullin Doktor i Shkencave Filologjike me temën: “Fillimet e modernitetit në prozën romanore shqipe, ndërsa në vitin 2005 ka kryer studimet pasuniversitare për titullin Master në Universitetin e Tiranës, Fakultetin e Histori – Filologjisë, dega Gjuhë – Letërsi. Studimet e larta, në degën e gjuhës dhe të letërsisë do t’i përfundonte në vitin 2000 pranë Universitetit të Tiranës në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë. Pas përfundimit të studimeve të larta ai për afro dy dekada ka punuar në Ministrinë e Kulturës si specialist, Përgjegjës Sektori dhe Drejtor Drejtorie pranë Drejtorisë së Librit dhe Bibliotekave. Ermir Nika është autor i një sër veprash me karakter letrar e studimor ku do të përmendim: “Robi i lartësive”, roman, “Kuarteti bohem”, poezi, “Net Mëkatarësh”, tregime, novelën për fëmijë “Gjyshi në Kornizë, botimi i vëllimit poetik “Re të Ftohta”, publikimi i veprës studimore “Vepra e Çajupit dhe takimet e saj me rrymat letrare, “Shënime të një Europiani pranë Budës dhe Hiroshimës ”, “Lumi i Ëndrrave të Mia” poezi, Fillimet e modernitetit në prozën romanore shqipe, Polifonia, kujtesa e zërave të tokës, Nëpër udhët e polifonisë. Disa nga vepra e tij janë botuar në disa vende të botës, nga shtëpi botuese të mirënjohura ndërkombëtarisht. Ermir Nika është pjesëmarrës në mjaft konferenca shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare si edhe në disa festivale dhe evente të mirënjohura të poezisë si në; Francë, Rumani, Marok, Maqedoni, Gjermani, Greqi, Turqi, Mal të Zi etj. Ai ka qenë skenarist në disa filma dokumentarë të realizuara nga Radio Televizioni Publik Shqiptar dhe Qendra Multimediale “Shteg”. Që nga maji i vitit 2019 e në vijim Dr. Ermir Nika është Përgjegjës i Departamentit të Arteve të Aplikuara në Fakultetin e Shkencave Humane dhe Arteve Liberale në Universitetin Evropian të Tiranës.