biblioteka e mendimit shqipetar banner header

Mustafa Nano

Mustafa Nano (lindur më 3 janar 1960) është gazetar, publicist, analist, studiues, shkrimtar dhe ish-diplomat. Është me profesion inxhinier, në degën elektronikë. Pas vitit 1990 është marrë për pak kohë me politikë. Ka qenë pjesë e PD-së deri në vitin 1995. Më pas, shërbeu për disa vjet në diplomaci. Viti 1998 shenjoi kthesën në jetën e Mustafa Nanos. Është periudha në të cilën ai vendosi t’i dorëzohet pasionit të tij të hershëm për të shkruar, dhe hyri në fushën e gazetarisë. Faktikisht, artikulli i tij i parë, nën titullin “Refleksion”, u botua (në dy numra) më 23 dhe 24 dhjetor 1994, në gazetën “Rilindja Demokratike”. Megjithatë, do të ishte prilli i vitit 1998, kur Nano do të niste rrugëtimin, të cilin e vijon ende, në gazetari dhe publicistikë. Në shtypin e shkruar, ai ka bashkëpunuar me gazetat “Shekulli”, “Shqip”, “Korrieri”, “Dita”, “Mapo”, “Tirana Observer” dhe “Liberale”, si edhe me revistat “Spekter”, “Mapo”, “Klan” (me rubrikën e tij të përjavshme “Pena furacake”), “Monitor”, “Java” etj. Në vitin 2017, me propozim të Misionit të OSBE-së në Serbi dhe Ambasadës së Shqipërisë në Beograd, Mustafa Nano pati një letërkëmbim publik me kolegun e tij serb Zoran Panoviç, me anë të të cilit dy gazetarët shkëmbyen opinionet e tyre (pa shmangur edhe polemikat) mbi çështje politike e sociale, si edhe mbi mosmarrëveshjet historike midis dy vendeve. Letërkëmbimi i tyre numëroi dymbëdhjetë artikuj, të cilët u publikuan në gazetën e përditshme “Mapo” në Shqipëri, dhe “Danas” në Serbi. Gjithashtu, Mustafa Nano është ideatori dhe moderatori i një sërë programesh televizive, të natyrës talk-show: “Déjà vu” (në Top-Channel, 2015-2017); “Jamais vu” (në Ora News, 2012-2015); “Zululand” (në TemaTv); “Provokacija” (në ABC News, 2018-2020); “Arnautistan” (në MCN TV, 2020-në vijim). Në televizion, Nano është një ndër opinionistët dhe analistët më në zë, si pjesë e paneleve të debatit në emisionet “Top Story” (në Top-Channel), “Opinion” (në Klan TV), në MCN TV, Alsat TV, A1 Report etj. Në vitin 2009, Nano ideoi dhe themeloi gazetën online “Res Publica”, në të cilën kontribuoi edhe si opinionist në editorialet e përditshme me tematika politike, sociale, kulturore etj. Sot ai e ka shkëputur marrëdhënien me këtë gazetë. Mustafa Nano është autori i një sërë veprash studimore e artistike, disa prej të cilave janë vlerësuar edhe me çmime. Libri i parë i tij që pati jehonë ishte ai me titull “Unë jam gegë” (2013), në të cilin trajtoi temën tabú të dikotomisë gegë-toskë në historinë e Shqipërisë. Më pas vijoi me fokusimin në historinë e Shqipërisë, duke botuar “Pax Albanica” (2014) dhe “Sandwich” (2017), në të cilët është ndalur tek tipare të shqiptarëve, që i kanë bërë këta të fundit të veçantë në arealin ballkanik, por edhe te trajtimi kontrovers i disa temave ende të nxehta, siç janë origjina e popullit shqiptar, vazhdimësia iliro-shqiptare, marrëdhëniet e shqiptarëve me sllavët e me grekët, me gjuhën e kulturën e tyre, procesi i islamizimit, roli i shqiptarëve në ngjarjet e mëdha politiko-ushtarake në rajonin e Ballkanit etj. “Provocateur! Njëzet vjet gazetari” (2018) është një autorrëfim, një vetëintervistim, ku autori trajton problematika të nxehta për shoqërinë shqiptare e njerëzimin në përgjithësi, të tilla si: politika, historia, besimet fetare, arti, letërsia, personazhet publikë me ndikim në Shqipëri e në botë etj., etj. Në librin “Si e kam njohur...” (2019), autori flet për mbresat e ndjesitë që i kanë lënë 41 personazhe të rëndësishëm, shqiptarë e të huaj, në momentet e njohjes me ta. Romani “Hinterlandi i kuq” (botimi i parë në vitin 2009, me ribotim në vitin 2013 dhe 2020) është i natyrës fiction me disa elementë autobiografikë nga jeta e autorit dhe qyteti ku ai ka kaluar fëmijërinë dhe rininë e hershme, të cilin në roman e identifikon me emërtimin Ch. Romanet “Lamtumirë baba” e “Një javë në Manastir” (2020) dallohen për stilistikën, dimensionin e gjerë të tematikave, ndërthurjen e detajeve fiction me fakte reale e historike. Kritikët i kanë përshkruar si një “ngrehinë shprehëse e ideuar dhe mbështetur në një gërshetim të larmishëm e të hijshëm ligjërimor, që nuk ndeshet shpesh në shkrimtarinë e sotme”. Mustafa Nano është shfaqur edhe në rolin e një show-man-i me dy stand-up-e që kanë bërë jehonë: “Dhe profetët dinë të puthin” (2015) dhe “Nuk ka kurva në këtë botë” (2018 dhe 2019), të vendosura disa herë në skenën e Teatrit Kombëtar dhe Teatrit Eksperimental “Kujtim Spahivogli”. Për sa i përket angazhimit të tij në jetën publike e politike nga pozitat e gazetarit e publicistit, Mustafa Nano është shprehur se nën ndikimin e ngjarjeve e zhvillimeve në fushën ndërkombëtare, ku ai ka veçuar multikulturalizmin, por edhe të eksperiencave personale jetësore e të studimeve të thelluara, ai ka kaluar në një proces “konvertimi”. Është identifikuar më herë si progresist, por jo më. “Jam edhe/as i majtë, edhe/as i djathtë... Nëse do të më duhej se s’bën ta përkufizoja veten politikisht... në këtë botë ku po jetojmë, do të thosha se ndihem më shumë konservator,” shprehet autori në librin e tij “Provocateur”.