Zef Pllumi
Zef Pllumi (Bogë, 1924 - Romë, 2007) qe frat françeskan, publicist e shkrimtar. Me prirje përgatitore për kah historia para se të ndërmerrte kalvarin, me të arritur lirinë merr ndër duar frerët kulturorë të trashëgimisë françeskane. I pagëzuar Prekë, lindi më 28 gusht 1924, i biri i GjetoTomës dhe Luke Miraj, u lind nga e ëma në një zabel në tëbanin e tyre në bjeshkë. Malësorët që kishin rënë me kohë në ultësirë venin të veronin në bjeshkë për t'iu shmangur verës pranë zonave bregdetare të pabonifikuara. Fisi i Prekës kishte tëbanin në Qafë të Tëthores së Bogës, mes Shkrelit dhe Shalës. Gjatë fëmijërisë takoi P. Gjergj Fishtën dhe P. Anton Harapin që i kishin ardhur miq te tëbani i tyre ndër bjeshkë. Shtati dhe prania imponuese e të parit dhe çehrja prej asketi e të dytit lanë mbresat të cilat i përcjell te libri autobiografik "Saga e fëmijnisë".