DORA D’ISTRIA
ELENA GJIKA, DORA D’ISTRIA (1828 - 1888) Lindi në Bukuresht,shkrimtare dhe publiciste përparimtare rumune me origjinë shqiptare. Ajo ishte e bija e Mihal Gjikës, vëllait të Princit të Vllahisë Grigor Gjika. Elena Gjika mori një arsim të plotë dhe vazhdoi jashtë vendit, më parë në Dresden, pastaj në Vjenë, Venecia dhe Berlin. Si publiciste dhe shkrimtare (kryesisht në frëngjisht) Elena Gjika u bë e njohur në vitin 1855. Me emrin Dora D’Istria, ajo botoi një numër shkrimesh që tregonin jo vetëm njohjet e mjaft gjuhëve të huaja, por edhe njohuritë e saj në fushën e shkencës, fesë, politikës, si dhe talentin për të paraqitur pikëpamjet e saj. Ajo mori pjesë gjallërisht në lëvizjen kulturore përparimtare të Evropës si kundërshtare e sundimit despotik monarkist dhe e shtypjes Kombëtare.