Fatos Arapi
Fatos Arapi (19 korrik 1930 - 11 tetor 2018) ka qenë një poet, novelist, përkthyes dhe gazetar shqiptar. Shkrimet e Arapit janë çmuar shumë nga lexuesit dhe bashkëkohësit e tij, për të cilat ka marrë çmime të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare. U lind i biri i Tol Stavre Arapit në Zvërnec, pranë qytetit të Vlorës, ku kreu shkollimin fillor dhe të mesëm. Studimet e larta i ndoqi në Sofie të Bullgarisë për ekonomi, më pas u kthye të punonte në Tiranë si gazetar dhe lektor për letërsinë moderne shqipe. Puna e tij e parë ishte në vitin 1953 në Komisionin e Planit të Shtetit si Kryetar i Degës së “Artizanatit dhe Industrisë Lokale”. Në vitin 1954 ai u transferua në Teknikumin Financiar si mësues i asaj shkolle (Qyteti i Nxënësve) ku dha lëndët: Statistikë, Planifikim dhe Ekonomi Politike. Ai ka punuar pedagog i Ekonomisë në Institutin Bujqësor, po kështu gjatë viteve 1959 – 1966 ka qenë pedagog i Ekonomisë Politike në Institutin e Lartë Ekonomik të Tiranës.