biblioteka e mendimit shqipetar banner header

LUIGJ GURAKUQI

LUIGJ GURAKUQI (1879-1925) Figurë e shquar e lëvizjes patriotike e demokratike shqiptare, poete mendimtar. Lindi në Shkodër më 19 shkurt në familjen e një intelektuali atdhetar. Shkollën fi llore e kreu në vendlindje, ndërsa të mesmen në Kolegjin e Shën-Mitër Koronës ku pati mësues De Radën. Me veprën “Vargënimi n’gjuhë shqype me nji fjalorth shqyp-frengjisht n’marim” (Napoli, 1906) bëri të parën përpjekje të suksesshme për kodifi kimin e metrikës së poezisë shqiptare. Po atë vit botoi në Bukuresht librin “Abetar i vogël shqyp mas abevet t’Bashkimit e t’Stambollit me tregime n’dy dhialektet” e në Napoli “Fjalorth Shqyp- Frëngjisht e Frëngjisht-Shqyp i fjalëve për përmbajtjen patriotike, për lirizmin dhe teknikën e vjershërimit. Me artikujt e tij ai dha edhe një ndihmesë me rëndësi në mendimin estetik e në kritikën letrare shqiptare. Më 1908 mori pjesë në Kongresin e Manastirit ku u zgjodh nënkryetar dhe anëtar i komisionit për njësimin e alfabetit. Më 1909 u emërua drejtor i së pares shkollë normale që u përhap në Elbasan, ku dha një ndihmesë me vlerë për vënien e arsimit mbi baza kombëtare. Më 1911 merr pjesë në kryengritjen e malësorëve të Mbishkodrës e si një nga udhëheqësit e saj, harton së bashku me Ismail Qemalin Memorandumin e Greçës. Më 1912 zhvillon një veprimtari të dendur për organizimin e kryengritjes së përgjithshme. Mori pjesë në mbledhjen e Bukureshtit dhe në Shpalljen e Pavarësisë (nëntor), ishte bashkëpunëtori më i ngushtë i I.Qemalit. Në Qeverinë e Përkohshme të Vlorës (dhjetor 1912) u zgjodh ministër i Arsimit dhe vendosi arsimimin e detyruar fi llor për djem e vajza. Mori pjesë në Kongresin e Durrësit më 1918 ku zgjidhet minister I Arsimit në qeverinë e përkohshme e anëtar i delegacionit të saj në Konferencën e Paqes në Paris. Më 1921-1924 qe deputet i Shkodrës në Këshillin Kombëtar ku si një nga udhëheqësit e opozitës demokratike luftoi për demokratizimin e jetës së vendit, për lehtësimin e gjendjes së bujkut nga shtypja e rëndë, për zhvillimin ekonomik e kulturor dhe për mbrojtjen e pavarësisë nga synimet skllavëruese të fuqive imperialiste. Mori pjesë gjallërisht në Revolucionin demokratiko-borgjez të Qershorit 1924 duke qenë një nga frymëzuesit e udhëheqësit kryesorë të tij. Në qeverinë e kryesuar nga Fan S.Noli u emërua minister i Financave. U dallua për ndjenjën e lartë të përgjegjësisë dhe për vendosmërinë e përpjekjet për krijimin dhe forcimin e shtetit demokratik shqiptar. Pas shtypjes së Revolucionit të Qershorit shkoj në Itali, ku më 2 mars 1925 u vra në Bari.