biblioteka e mendimit shqipetar banner header

OSMAN SALI MYDERRIZI

OSMAN SALI MYDERRIZI (1891-1973) Osman Myderrizi ka lindur në Tiranë, në vitin 1891, në një familje vendase dhe me traditë. Ai e nis veprimtarinë e tij në vitin 1913, fi ll pasi kthimit nga studimet ne Stamboll duke hapur të parën shkollë shqipe në Ndroq. Në vitin 1917, me iniciativën e tij krijohet në Tiranë shoqëria “Dituria” e cila qe shumë aktive në ngjarjet politike të kohës, kurse në vitin 1920 nxjerr të parën gazetë të Tiranës, “Zani i Ri”. Më 1922 zgjidhet deputet i Tiranës në Parlamentin e parë Shqiptar, ndërsa më 1924, përfaqësues i saj në Asamblenë Kushtetuese. Pas kthimit nga mërgimi, i larguar si pjesëmarrës në Revolucionin e qershorit 1924, punoi në arsim duke kryer detyra të ndryshme dhe duke hartuar tekste shkollore sidomos për gjuhën shqipe. Në vitin 1944 botoi për shkollat e mesme “Gramatika e re e shqipes”, vëllimi i parë, Fonologji e Morfologji, (284 faqe, Shtypshkronja “Guranjaku”). Kjo vepër paraqet në mënyrë të plotë strukturën morfologjike të variantit të mesëm të gjuhës shqipe dhe konceptet themelore të sistemit fonetik sintaksor. Prej vitit 1947 deri më vitin 1966 punoi në Institutin e Shkencave dhe më pas në Institutin e Historisë dhe të Gjuhësisë, si punonjës shkencor në fushën e gjuhësisë dhe të historisë së letërsisë. Studimet më të rëndësishme të Osman Myderrizit janë mbi historinë e letërsisë shqipe, veçanërisht mbi letërsinë shqipe shkruar me alfabet arab. Puna e tij në këtë fushë do të zhvillohet në tri drejtime: gjetjen dhe mbledhjen e dorëshkrimeve shqip, transkriptimin integral të tyre dhe së fundi studimin e kësaj krijimtarie. Përveç kësaj Osman Myderrizi transkriptoi integralisht në alfabetin e sotëm të shqipes krijimtarinë e Nezim Beratit, Muhamet Çamit, Hasan Zyko Kamberit, Shahin dhe Dalip Frashërit. Ai studioi jetën dhe krijimtarinë e këtyre poetëve duke qenë kështu dhe studiuesi i parë shqiptar që është marrë në mënyrë sistematike dhe rigoroze me studimin e letërsisë së bejtexhinjve. Lidhur me historinë e Shqipërisë, që në vitet ’30 të shekullit XX ka botuar në revista të ndryshme shkencore e kulturore artikuj mbi lokalizimin e Albanoi-it të Ptolemeut, mbi shtrirjen e emrit të vjetër etnik të popullit shqiptar në mesjetë, si dhe mbi rrethanat historiko-kulturore në të cilat u përhap emri i ri etnik shqiptar. Kurse në artikullin “Mbi disa probleme të historisë së lashtë të vendit tonë” të botuar në revistën Studime historike (1966:1) ai ka tërhequr vëmendjen rreth çështjeve më të rëndësishme të Shqipërisë, duke mbajtur qëndrim kritik ndaj disa tezave të historiografi së sllave dhe ndikimeve të tyre në historiografi në tonë. Në vitin 1937 ai shkruan dhe të parën histori të qytetit të Tiranës. Osman Myderrizi vdiq në dhjetor të vitit 1973. Ai do të mbahet mend për veprimtarinë e tij atdhetare dhe punën e frytshme në fushën e dijes dhe të shkencës, si një studiues dhe veprimtar i palodhur që punoi për të nxjerrë në dritë vlerat historike, kulturore dhe gjuhësore të popullit shqiptar.