biblioteka e mendimit shqipetar banner header

SAMI FRASHËRI

SAMI FRASHËRI (1850-1904) Rilindës i shquar, ideologu kryesor i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, dijetar i madh, shkrimtar dhe publicist. Më 1865 së bashku me pesë vëllezërit e tij dhe dy motrat u vendos në Janinë. Këtu së bashku me Naimin, S.F. kreu shkollën e mesme greke Zosimea. Më 1872 u vendos në Stamboll ku zhvilloi një veprimtari të gjerë patriotike për çlirimin dhe bashkimin kombëtar të popullit shqiptar dhe bashkëpunoi me përfaqësuesit më përparimtarë të lëvizjes demokratike-borgjeze turke. Ishte një ndër organizatorët kryesorë të “Komitetit Qendror për mbrojtjen e të drejtave të kombësisë shqiptare” dhe themelimit të “Shoqërisë së të shtypurit të shkronjave shqip” ku u zgjodh kryetar i saj. S.F. drejtoi revistat e para në gjuhën shqip “Drita” dhe pastaj “Dituria” (Stamboll, 1884-85) ku shkroi një varg artikujsh. Për nevojat e shkollës shqipe hartoi librat “Abetare e gjuhës shqipe” (1886)”, “Shkronjtore e gjuhës shqipe” (gramatika, 1886) dhe – “Dheshkronjë (Gjeografi a, 1888) në gjuhën shqipe. E këtij mendimtari të shquar patriot demokrat illuminist është “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet”, botuar më 1899 pa emër autori në Bukuresht. Ky traktat u bë manifest i Rilindjes Kombëtare Shqiptare, vepra që sintetizoi programin e lëvizjes, strategjinë dhe taktikën e saj. Në të u shprehën idealet demokratike të zhvillimit politik e shoqëror të vendit, të zhvillimit të arsimit, të kulturës e të shkencës. . Është autor i fjalorit normative të gjuhës turke (Kamus-i turki, 1901) i cili ruan vlerën e vet të madhe edhe në ditët e sotme. Fjalori “Kamus-i turki” përmban mbi 40 mijë fjalë e shprehje gjuhësore dhe është pajisur me një parathënie të gjatë të shkruar nga vetë Samiu ku parashtron parimet e tij mbi fjalorin e një gjuhe letrare. Samiu është edhe autor i disa fjalorëve frëngjisht-turqisht (Kamus-i fransevi, 1882); turqisht-frëngjisht (Kamus-i fransevi, 1885); arabisht-turqisht (Kamus-i arabi). Vepra madhore e S.F. në gjuhën turke është Enciklopedia e tij “Kamus-ul alâm” (1900) në 6 vëllime, ku Samiu u jep një vend të dukshëm botës shqiptare, figurave të rëndësishme që ka nxjerrë populli shqiptar gjatë historisë së tij.