Në këtë vepër janë përmbledhur shkrime për politikën e krijimtarinë letrare e shkencore, për krijues e vetje të tjera, për ngjarje, dukuri e veprime të ndryshme politike në Shqipërinë shtetërore dhe në Kosovë.Të gjitha shkrimet e përmbledhura në këtë vëllim më parë janë botuar në gazetat që dalin në Tiranë dhe në Prishtinë. Shkrimet e pjesës së parë të librit, me titullin Shteti, uzurpuesit dhe shpërdoruesit e tij, me përjashtim të dy shkrimeve të fundit të kësaj pjese që janë botuar në gazetat Dita dhe Telegrafi, më parë janë botuar në Gazetën shqiptare prej së cilës, mandej, i kanë marrë dhe i kanë botuar edhe disa gazeta të tjera në Tiranë dhe në Prishtinë. Shkrimet e pjesës së dytë, të titulluar 100-vjetori i Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë dhe bashkimi kombëtar më parë janë botuar në gazetën Epoka e Re në Prishtinë. Trajtesa Adem Dema - shkrimtari për të gjitha kohët më parë është botuar si pasthënie e kompletit të veprave të shkrimtarit dhe apostullit të lirisë dhe projektuesit të kryehershëm të pavarësisë së Kosovës, Adem Demës, që nga Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës u botua në vitin 2012.